PLANET E GATISHMËRISË NË RASTET E EMERGJENCAVE

Bazuar në ligjin Nr. 8681,datë 02.11.2000 “Për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave”, ligjit Nr.8756, datë 26.03.2001 “Për Emegjencat Civile“, VKM Nr.147 datë 18.03.2004, KESH sh.a, si dhe “Rregullores për Sigurinë e Digave”, neni 28, e miratuar me VKM Nr.147, datë 18.03.2004, KESH sh.a ka hartuar Planet e Gatishmërisë në rastet e Emergjencave.

Këto plane janë hartuar në bashkëpunim me ekspertizën vendase dhe të huaj (GNF, Spanjë) dhe në përputhje me rekomandimet e ICOLD dhe standartet ndërkombëtare.

Planet e Gatishmërisë në Raste Emergjencash përfshijnë:

I. Raportet Teknike sëbashku me anekset përkatëse të tyre.
II. Skemat Organizative për proceset e veprimeve emergjente në 4 skenarë të mundshëm.
III. Hartat e Përmbytjeve që mund të shkaktohen në zonën e pellgut ujëmbledhës Drin-Bunë gjatë operimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin (Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës) apo dëmtimeve të digave të tyre.

Gjithashtu, me ndihmën teknike të GIZ janë përgatitur edhe hartat e zonave të përmbytjeve për rastet e shkarkimit të plotave me përsëritje një herë në 100 vjet dhe një herë në 1,000 vjet, harta këto që në përputhje me përcaktimet e Rregullores për Sigurinë e Digave dhe Dambave, janë përgatitur në shkallë 1:25,000

Planet e Gatishmërisë në Raste Emergjencash shtjellojnë dhe përcaktojnë për çdo skenar të mundshëm të rasteve të emergjencave që mund të ndodhin (për shkak të operimit dhe menaxhimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin në kushtet e prurjeve të mëdha, tërmeteve, apo prishjes së mundshme të ndonjë dige), detyrat dhe skemat organizative për lajmërimin në kohën e duhur nga Institucionet e përfshira në proçesin e përballimit dhe menaxhimit të emergjencave civile.