Për shkak të vendndodhjes, madhësisë së tyre volumit të liqeneve, si dhe rolit kryesor që lujanë për prodhimin e energjisë elektrike dhe për kontrollin e prurjeve të pellgut të Drinit, 3 hidrocentralet e Kaskadës së Drinit që administrohen nga KESH klasifikohen si vepra të Klasit të 1-rë bazuar në nivelin e rrezikshmërisë dhe impaktin ekonomik e social që shkakton dëmtimi i tyre.

Prandaj garantimi i sigurisë së digave, liqeneve dhe veprave hidrike të hidrocentraleve, rritja e jetëgjatësisë së tyre dhe operimi i sigurtë dhe i besueshëm i skemës së kaskadës janë disa nga përgjegjësitë madhore të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Për garantimin e sigurisë së veprave hidrike si dhe për rritjen e jetëgjatësisë së tyre, është e nevojshme kryerja e investimeve të vazhdueshme në digat, brigjet e liqeneve si dhe në terrenin përreth hidrocentraleve me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e parametrave funksionalë dhe të sigurisë së tyre.

Në këtë drejtim, KESH me fondet e veta si dhe me fonde hua të marra nga institucionet financiare, ka ndërmarrë dhe po realizon një sërë projektesh zhvillimore për realizimin e punimeve dhe studimeve që synojnë përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe funksionimit të veprave.

Specialistët hidroteknikë të KESH, planifikojnë, koordinojnë dhe realizojnë punimet periodike për mirëmbajtjen e impianteve.