Mirëmbajtja, përmirësimi i vazhdueshëm i nivelit teknik të shfrytëzimit dhe gadishmëria e veprave energjitike që administrohen nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare janë disa nga aktivitetet kryesore të vazhdueshme të punës së KESH.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka realizuar një sërë investimesh, me fondet e veta dhe fonde të marra hua, për rehabilitimin dhe rinovimin e makinerive dhe pajisjeve elektro mekanike në tre HEC-et e Kaskadës së Drinit.

Kryesisht këto investime janë përqendruar në këto drejtime:

• Rinovimi dhe përmirësimi teknologjik i sistemeve të rregullimit të agregatëve me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe përmirësimin e parametrave të qëndrueshmërisë funksionale.
• Monitorimi i kushteve të punës dhe gjendjes teknike të makinerive e pajisjeve për të parandaluar në kohë avaritë dhe defektet.
• Mbështetja teknike me aparatura dhe pajisje matëse e testuese për parametrat e transformatorëve, gjeneratorëve dhe pajisjeve të tjera, në mënyrë që të rritet niveli teknik si për diagnostikimin në kohë të problemeve ashtu dhe për riparimin e tyre.

Përmes këtyre investimeve, KESH synon :

të sigurojë gadishmërinë maksimale të kapaciteteve gjeneruese;

të mbajë në gadishmëri pajisjet e shkarkimit të plotave;

të minimizojë avaritë dhe defektet në makineritë e pajisjet.