Të gjitha Bashkësitë e të Dhënave
Korporata Elektroenergjetike Shqipëtare
KESH sh.a. është shoqëri aksionare në pronësi të plotë të shtetit shqiptar, është njëkoësisht prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend dhe një aktor strategjik për sigurinë energjetike kombëtare. Me një kapacitet të instaluar prej 1 563 MW, nga të cilat 1 350 MW nga burimet hidrike, KESH mbulon më shumë se gjysmën e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri. Shoqëria operon Kaskadën e lumit Drin, të përbërë nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilat formojnë një sistem unik digash dhe rezervuarësh në Evropë. Kjo kaskadë përfaqëson 69% të kapacitetit prodhues të vendit të lidhur me rrjetin e transmetimit dhe 50% të kapacitetit të përgjithshëm të instaluar në nivel kombëtar.
KESH siguron 56% të prodhimit kombëtar të energjisë elektrike dhe luan një rol thelbësor në sigurinë dhe balancimin e sistemit elektroenergjetik.
Strategjia e KESH-it synon të garantojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike me çmime konkurruese, të diversifikojë më tej burimet e rinovueshme dhe të forcojë pozicionin e shoqërisë si një aktor kyç në tregun rajonal të energjisë. Shoqëria është e angazhuar për inovacionin teknologjik, përmirësimin e vazhdueshëm të performancës dhe zbatimin e parimeve të mirëqeverisjes, transparencës dhe përgjegjësisë sociale e mjedisore. Duke mbështetur zhvillimin profesional të punonjësve dhe duke nxitur një kulturë angazhimi, KESH synon të ruajë pozicionin udhëheqës në sektor dhe të garantojë funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik kombëtar përmes ofrimit të shërbimeve ndihmëse dhe balancimit të sistemit. Në përputhje me objektivat e diversifikimit, KESH po investon në zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme përmes projekteve fotovoltaike, si impianti lundrues me kapacitet 12,9 MW në Vau i Dejës (SENA), impianti me kapacitet 8,25 MWp në digën e Zadejës, pjesë e HEC-it Vau i Dejës, dhe impianti tokësor i Belshit me kapacitet 50 MWp.