Hidrocentrali i Skavicës
Hidrocentrali i Skavicës është një projekt kyç për zhvillimin e sistemit elektro-energjetik dhe për forcimin e ekonomisë shqiptare. Ky projekt do të ndihmojë në mbulimin e nevojave të energjisë në Shqipëri dhe, gjithashtu, do të krijojë mundësi për eksportimin e energjisë së rinovueshme.
HEC Skavica do të ndërtohet në rrjedhën e sipërme të Kaskadës së lumit Drin, e cila administrohet dhe shfrytëzohet nga KESH sh.a. Projekti ka për qëllim të rrisë prodhimin e energjisë, të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve dhe të përmirësojë performancën e të gjithë sistemit të kaskadës, duke luajtur një rol të rëndësishëm si digë kontrolluese.
Në korrik 2021, u nënshkrua kontrata për fazën e parë të projektit midis Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel Infrastructure. Kjo marrëveshje, e miratuar me Vendimin Nr. 485, datë 30.07.2021, përfshin shërbime teknike të rëndësishme për hapat paraprak të realizimit të projektit. Pas përfundimit të fazës së parë, Bechtel do të paraqesë një program të detajuar për fazat e mbetura të projektit.
Sipas ligjit nr. 38/2021, ky proces ka për qëllim realizimin e aktiviteteve paraprake, ndërkohë që miratimet përfundimtare për projektin mund të realizohen vetëm në fazën e dytë, sipas rregullave të përcaktuara.
Referuar Shtojcës 1 të Vendimit Nr. 485, datë 30.07.2021 puna përgatitore përfshin të gjitha studimet e mëposhtme .
- Vlerësimi paraprak, mbledhja fillestare e të dhënave dhe finalizimi i rakordimit të objektit.
- Studimi , përzgjedhja e vendit dhe konceptet
- Studimet/Rilevimet
- Punime inspektimi dhe studime.
- Vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe social
- Projektimi
- Plani i zbatimit të projektit
- Zhvillimi i vendit të projektit
- Plani i implemetimit të zbatimit
- Opsionet e financimit
- Preventimi paraprak i sasive/kostove

Projekti i Hidrocentralit të Skavicës
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i elektricitetit në Shqipëri, po zhvillon projektin e Hidrocentralit (HEC) të Skavicës në lumin Drin. Ky projekt ka për qëllim të ofrojë furnizim shtesë me energji elektrike, të përmirësojë menaxhimin e kaskadës së Drinit dhe të reduktojë përmbytjet për shkak të reshjeve sezonale.
KESH po bashkëpunon me kompaninë globale Bechtel për të realizuar studimin e fizibilitetit të projektit dhe për të zhvilluar projektimin paraprak (FEED) dhe vlerësimin e kostove. Kaskada ekzistuese e Drinit është më e madhja në Ballkan, e cila përfshin tre diga të cilat zotërohen dhe operohen nga KESH me një kapacitet të kombinuar prej 1350 MW. Skavica, si diga e sipërme, do të luajë rol të rëndësishëm në optimizimin e performancës së kaskadës.
Aktualisht, Bechtel, së bashku me partnerët ndërkombëtarë si Mott MacDonald, Golder dhe WeBuild, po kryen vlerësime të detajuara mbi parametrat tekniko-ekonomikë, mjedisor dhe social të projektit, duke i përputhur ato me standardet ndërkombëtare dhe ligjet shqiptare. Po ashtu, studimi përfshin vlerësimin e mundësive për vendndodhjen e digës, llojin dhe lartësinë e saj, si dhe analizat e nevojshme për energjinë dhe prodhimin e saj, si dhe aspekte të tjera inxhinierike.
Në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), KESH po zhvillon gjithashtu një plan për zhvendosjen e zonave të prekura, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet lokale. Këshilltari financiar Ernst&Young po vlerëson aspektet ekonomike dhe financiare të projektit dhe do të mbështesë KESH-in në procesin e kërkimit të financimit nga burime të mundshme.
Pasi të përfundojnë analizat dhe studimet, dhe të përzgjidhet opsioni më i mirë për realizimin e projektit, propozimi final do t’i dorëzohet qeverisë për shqyrtim dhe miratim.
Studimet dhe analizat përfshijnë:
- Alternativat për vendndodhjen e digës dhe elementeve të tjera të projektit;
- Llojin dhe lartësinë e digës;
- Korridorin e linjës së transmetimit;
- Rrugët hyrëse dhe facilitetet e përkohshme;
- Vlerësimet gjeologjike, gjeoteknike, hidrologjike, të ndryshimit të klimës dhe përmbytjeve;
- Studimet për fuqinë dhe prodhimin e energjisë;
- Tunelet për skemën hidrike.
Grafiku ilustrativ i projektit tregohet në tabelën më poshtë.
.

Mbushja e rezervuarit nuk është planifikuar të ndodhë deri në një fazë të vonshme të punimeve të ndërtimit.
KESH, Bechtel dhe partnerët e tjerë të projektit janë angazhuar të trajtojnë në mënyrë të drejtë komunitetet dhe popullatën e prekur, duke ndjekur standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky proces përfshin konsultime dhe ndërveprim paraprak me komunitetin, për të prezantuar projektin, ndikimet e mundshme dhe masat zbutëse për këto ndikime, si dhe për të marrë opinionet dhe reagimet e palëve të interesit mbi projektin.

Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS)
HEC Skavica është një projekt kyç për optimizimin e kaskadës së Drinit. Në vitin 2020, qeveria e Shqipërisë vendosi të financojë një studim të plotë fizibiliteti përmes KESH.
Pjesë e fazës së parë të projektit është Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis dhe Social, i cili po realizohet nga Golder, një kompani ndërkombëtare me përvojë, e mbështetur nga konsulenca lokale. Studimet për gjendjen ekzistuese mjedisore janë kryer për të katër stinët, ndërsa studimi ekologjik është në proces dhe ato sociale janë ende duke u kryer.
Një draft paraprak për identifikimin e çështjeve mjedisore është prezantuar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Pas përfundimit të vlerësimeve teknike, ekonomike dhe financiare, do të hartohet një Raport i Thelluar i Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS). Ky raport do t’i nënshtrohet një procesi “due diligence” nga palë të treta të pavarura për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin dhe standardet e performancës mjedisore dhe sociale të IFC.
Studimi i VNMS do të vlerësojë:
- Ndikimet mjedisore dhe sociale të projektit (pozitive dhe negative).
- Mënyrat për të shmangur, minimizuar ose korrigjuar ndikimet negative që në fazat e hershme të projektit.
- Ndikimet në jetesën e komuniteteve të prekura, grupet vulnerabël, infrastrukturën sociale, trashëgiminë kulturore dhe burimet natyrore.
- Parimet e kompensimit dhe zhvendosjes, përmes hartimit të politikave dhe planeve të zhvendosjes.
Nga viti 2022, Bechtel, Golder dhe KESH kanë zhvilluar konsultime me palët e interesit të projektit:
- 27 takime me autoritetet lokale, njësitë administrative, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile.
- Mbi 20 takime me rreth 350 qytetarë të komunitetit në zonën e interesit.
- Mbi 70 takime me përfaqësues të bashkive dhe njësive administrative për informacion demografik dhe socio-ekonomik.
Diskutimet e zhvilluara dhe ato të ardhshme do të përfshihen në raportin e VNMS. Raporti gjithashtu do të përmbajë strategjinë e propozuar për kompensimin dhe zhvendosjen, që do të ndahet me palët e interesuara dhe komunitetet për të marrë opinionet dhe komentet e tyre.
VNMS dhe raportet për zhvendosjen do të shoqërohen me vrojtime të vazhdueshme në terren dhe ndërveprim të ngushtë me komunitetet e prekura, autoritetet vendore dhe qendrore.
