Në vijim të ftesës publike për pjesëmarrje në takimin për prezantimin e rregullores “Për qarkullimin e automjeteve në aksin “Ura e Drinit-Tunel-Kalata e Trageteve” Hec Koman”, në datë 06.06.2018 ora 11:00 në ambientet e HEC Koman u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të KESH sh.a dhe palëve të interesuara që shfaqën interes për tu njohur me rregulloren në fjalë.
Gjatë takimit përfaqësuesit e KESH sh.a pasi bënë më dije dhe informuan palët e përfaqësuara në këtë takim mbi rregulloren që do të zbatohet nga data 11 Qershor 2018 (operatorët tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre të transportit ujor në liqenin e Komanit), bashkëbiseduan me këto të fundit për të marrë mendime, sugjerime si dhe për ti kërkuar bashkëpunim për vënien në zbatim të kësaj rregullore, e cila do të bëjë të mundur disiplinimin e qarkullimit të njerëzve dhe mjeteve “Ura e Drinit-Tunel-Kalata e Trageteve” Hec Koman”.
Operatorët që ushtrojnë aktivitetin e tyre të transportit ujor në liqenin e Komanit u shprehën se ky veprim i ndërmarrë nga ana e KESH sh.a jo vetëm ndihmon në disiplinimin e trafikut për aksin në fjalë por ndihmon edhe në imazhin turistik të zonës, pasi investimet e kryera në këtë segment rrugor janë të një niveli të lartë dhe që garantojnë lëvizshmëri të sigurt dhe të shpejtë si për njerëzit edhe për automjetet.
Në përfundim të takimit përfaqësuesit e KESH sh.a falënderuan pjesëmarrësit dhe premtuan angazhimin e shoqërisë për organizimin e takimeve të tjera më qëllim diskutimin e çështjeve që shqetësojnë operatorët që ushtrojnë aktivitetin e tyre të transportit ujor në liqenin e Komanit por edhe komunitetit.