Intervista që administratori i KESH sh.a   z.Agron Hetoja ka dhënë për revistën Monitor.

PYETJE: KESH radhitet ndër kompanitë më të mëdha në vënd për nga qarkullimi vjetor i vitit 2015.Disa nga arsyet që kanë cuar në rritjen e performancës  financiare?

PERGJIGJE:Referuar mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tregut të energjisë elektrike përpara hyrjes së fuqi të ligjit Nr. 43, datë 30.04.2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, nga ku KESH sh.a deri në 6-mujorin e parë të vitit 2016 ka ushtruar funksionin e prodhuesit dhe furnizuesit publik me shumicë, themi se rritja e performancës financiare ka qenë tregues i mirëadministrimit të kësaj shoqërie.

Parë në aspektin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike, themi se shoqëria KESH sh.a e nisi vitin 2015 me rezervuarin e Fierzës në kuotën 286 m, nivel ky mëse optimal për garantimin e përmbushjes së detyrimeve nga ana e shoqërisë KESH sh.a. 

Kushtet hidrike rezultuan të favorshme për 6- mujorin e parë ku pati rritje të prodhimit të energjisë elektrike ndërsa për 6- mujorin e dytë prurjet rezultuan ndjeshëm nën nivelin mesatar shumëvjeçar.

Ndonëse për periudhën Janar-Maj 2015, prurjet mesatare të regjistruara për vitin 2015 kanë qenë përafërsisht të barabarta me prurjet mesatare për të njëjtën periudhë të viteve 2001-2015, shoqëria KESH sh.a:


– arriti të prodhonte 2,490 GWh apo 20% më shumë se prodhimi mesatar prej  2,078 GWh i realizuar për të njëjtën periudhë gjatë viteve 2001-2015
– arriti të minimizojë shkarkimet e ujërave me 40% me pak se shkarkimet mesatare vjetore prej 1,42 miliardë m3 ujë për të njëjtën periudhë gjatë viteve 2001-2015           
– realizoi shfrytëzimin efektiv të kaskadës nga ku në datën 1 Qershor 2015 niveli në rezervuarin të HEC Fierzës rezultoi të ishte 5 m më lartë se niveli mesatar i periudhës 2001-2015 për këtë datë.     
Gjatë vitit 2015 prodhuam mbi 4.49 TWh, apo rreth 600,000 MWh më shumë se prodhimi mesatar shumëvjeçar.
Përpos aspekteve të mësipërme, miratimi dhe vënia në zbatim e planit të rimëkëmbjes financiare në vitin 2015, krijoi kushtet e nevojshme që marrëdhëniet tregtare të KESH me institucionet partnere (OSHEE, OST, Prodhuesit e Vegjël, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, furnitorët e mallrave dhe shërbimeve) të vijojnë normalisht dhe larg problematikave të së shkuarës. 
Të ardhurat e krijuara nga KESH sh.a për vitin 2015 janë rreth 19,2 miliardë Lek.
Ky vit që mund konsiderohet sa i vështirë aq dhe domethënës në raport me periudhën që korrespondon me nisjen e rrugëtimit të reformimit të thellë të sektorit energjetik, regjistron të dhëna të cilat vështirë të mendoheshin më parë. Per vitin 2015, KESH realizoi: 
– 100 % arkëtime nga OSHEE per faturimet e vitit
– 0 borxhe te reja dhe 0 shpenzime penalitetesh për vonesa në pagesa, 
– 10% më pak shpenzime operacionale dhe 15% më pak shpenzime për interesa huash afatshkurtra
– mbulim me të ardhurat e veta të shpenzimeve për importin e energjise elektrike për konsumatorin tarifor

Gjithashtu gjatë vitit 2015 nga ana e KESH sh.a, u arrit të:
– shlyej plotësisht të gjitha faturat korrente të HEC-eve të vegjël për vitin 2015 në vlerë 9.3 miliard Lek (duke mos krijuar detyrime të reja ndaj tyre)     
– përmbyllej procesi i shlyerjes së plotë të detyrimeve prej mbi 5 miliard lekë të akumuluara ndër vite ndaj HEC-eve të vegjël si rrjedhojë e papërshtatshmërisë së strukturës tarifore të periudhës rregullatore 2012-2014
– shlyej, përveçse detyrimeve korrente në vlerën e 765 milionë Lek ndaj administratës  fiskale dhe doganore, edhe detyrimet e prapambetura të akumuluara ndër vite në vlerën e 327 milionë Lek.
– zvogëlohej niveli i huave afatshkurtëra OD me 950 milion lekë apo rreth 7 milion Euro.

PYETJA 2: Cila është  perspektiva e zhvillimit në vijm dhe si parashikohet ecuria ardhurave dhe fitimit?

 PERGJIGJE: Perspektiva e zhvillimit te shoqërisë KESH sh.a në të ardhmen eështë komercializimi i aktivitetit te tij bazuar në parashikimet e ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjise elektrike”.

Ndonëse me miratimin e ligjit Nr. 43, datë 30.04.2016 “Për sektorin e energjisë elektrike”  KESH sh.a parashikohet të operojë në tregun e energjisë elektrike në funksionin e tij natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, vonesa në miratimin e akteve rregullatore bëri që deri më datë 1 Korrik 2016, KESH sh.a të operojë në tregun e energjisë elektrike bazuar në parashikimet e ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i shfuqizuar). 
Sa më sipër për 6 mujorin e dytë të vitit 2016 KESH sh.a do të funksionojë në tregun e energjisë elektrike bazuar në parashikimet e Modelit të Përkohshëm të Tregut të Energjisë, por duke trashëguar kostot e krijuara nga ushtrimi i funksionit të furnizuesit publik me shumicë për 6 mujorin e parë të vitit 2016 kjo për shkak të lënies në fuqi të tarifës së prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike të KESH sh.a për këtë periudhë. Tarifa e lënë në fuqi nga ana e rregullatorit për 6 mujorin e dytë te vitit 2016 reflekton vetëm koston e mirëfilltë të prodhimit të energjisë elektrike gjë e cila e bën të vështirë shlyerjen ne kohe te interesave te ODve të trasheguara dhe realizimin e investimeve nga ana e KESH sh.a.

Duke filluar nga viti 2017 shoqëria KESH sh.a parashikon të nisë një fazë të re të funksionimit të saj në tregun e energjisë elektrike, duke u orientuar drejt funksioneve të saj natyrale (prodhimi dhe tregtimi i energjisë elektrike).
Referuar sa më sipër të ardhurat që do të krijohen nga shoqëria KESH sh.a në ushtrimin e funksionit të prodhuesit dhe tregtuesit të energjisë elektrike, do t`i mundësojë shoqërisë mbulimin e të gjitha shpenzimeve, kryerjen e investimeve dhe shlyerjen e borxheve te krijuara.

PYETJA 3:  Si do të ndikojë modeli i ri i tregut të energjisë në  pozicionin financiar të KESH? 

PERGJIGJE:Miratimi i ligjit Nr. 43, datë 30.04.2015 “Për Sektorin e energjisë elektrike” erdhi si nevojë e përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullator Shqiptar me atë Evropian në fushën e energjisë elektrike, referuar kjo dhe detyrimeve që ka Shqipëria si anëtare në Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Ky ligj bën një përafrim të plotë më Direktivën 2009/72/ KE “Mbi rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike” dhe ka për qëllim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve nëpërmjet krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike, duke marrë në konsiderate interesat e klientëve, sigurinë  dhe cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike, duke synuar ndër të tjera integrimin e tregut shqiptar në tregun rajonal dhe atë evropian të energjisë elektrike.

Të gjitha nismat e deritanishme si dhe projektet që po diskutohen si në nivel kombëtar ashtu edhe evropian kanë për qëllim unifikimin e tregjeve të energjisë (market coupling), duke synuar rritjen e konkurrencës nëpërmjet ndarjes së qartë të segmetit te tregtimit me shumicë dhe atij me pakicë si dhe pjesës së liberalizuar dhe asaj të rregulluar të tregut të energjisë.
Reformimi i thellë i sektorit elektroenergjetik si dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar për energjinë elektrike me atë të Bashkimit Evropian (Paketa e 3-të e Energjisë e Bashkimit Evropian) kalon nëpërmjet një faze transitore, e cila i referohet periudhës nga momenti i miratimit të ligjit Nr.43/2015 dhe deri në momentin që do të finalizohet krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë (Albanian Power Exchange).

Miratimi i VKM-së Nr.244, datë 30.03.2016 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit ,transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” i cili shërben dhe si model i përkohshëm i tregut, është një hap tjetër përpara në zbatimin e parashikimeve të ligjit Nr. 43, date 30.04.2015 ‘Për sektorin e energjisë elektrike”. 

Referuar parashikimeve të bëra në Modelin e Përkohshëm të Tregu të Energjisë Elektrike, shoqëria KESH sh.a ka detyrimin të ofrojë përkundrejt Furnizuesit të Shërbimit Universal (OSHEE sh.a) sasinë e energjisë elektrike, që përcaktohet bazuar në regjimin racional shumëvjeçar të shfrytëzimit të kapaciteteve gjeneruese, e cila shkon për plotësimin e kërkesës për energji elektrike të klientëve fundor që përfitojnë nga Shërbimi Universal i Furnizimit. Gjithashtu ky Model i Përkohshëm Tregu i jep mundësi shoqërisë KESH sh.a të operojë në tregun e energjisë elektrike dhe të krijojë të ardhura nëpërmjet shitjes me çmime tregu të sasisë së energjisë elektrike që do të rezultojë pas përmbushjes së detyrimit për shërbim publik.

Në këto kushte KESH sh.a përveçse do të operojë në tregun e energjisë elektrike si një kompani prodhimi ndaj të cilës është vendosur detyrimi për shërbim publik, detyrim i cili duhet të justifikohet si i domosdoshëm, jo diskriminues dhe proporcional ndaj të gjithë pjesëmarrësve të tregut të energjisë elektrike, do të ketë mundësi të ushtrojë funksionin e saj natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike në tregun e parregulluar (liberalizuar).

Kjo mënyrë e re e organizimit dhe funksionimit të tregut shqiptar të energjisë elektrike do ti krijojë mundësi shoqërisë KESH sh.a të bëjë një shfrytëzim më efektiv të burimeve hidrike ekzistuese, duke hedhur vështrimin drejt mundësisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nëpërmjet zbatimit të teknologjive të reja që garantojnë efektivitet, siguri dhe çmime konkurruese.

PYETJA 4: Cilat janë disa nga sfidat që ju pengojnë për një rritje edhe më të shpejtë?

PERGJIGJE: Ndonëse Ligji 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” parashikon jetësimin e politikave zhvillimore te qeverise shqiptare per reformimin strukturor, financiar dhe komecial te sektorit i cili njekohesisht me arritjen e qëndrueshmerisë financiare dhe pavaresise nga buxheti i shtetit duhet te garantoje sigurine e furnizmit me energji elektrike te konsumatoreve me cmimeve te pranueshme te vendosura ne nje treg te liberalizuar gradualisht, konkurues dhe transparent, vonesat e krijuara në miratimin e akteve rregullatore në zbatim të tij zgjasin periudhën transitore deri në liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike.

Një situatë e tillë nuk mundëson ushtrimin nga shoqëria KESH sh.a të funksionit të saj natyral të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike në një treg të organizuar bazuar në parimet e konkurrencës, transparencës dhe barazisë.


Shoqëria KESH sh.a ndjek ne vijimesi zhvillimet në tregun shqiptar të energjisë elektrike dhe është e gatshme të ushtrojë funksionet e saj, duke qenë e përgjegjshme dhe kërkuese ndaj vetes në mënyrë që si prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri, të japë e para shembullin e qasjes ndaj praktikave më të mira të vendeve evropiane të cilat kanë përjetuar një eksperiencë me të hershme të kalimit nga një treg plotësisht i rregulluar (monopolist) në një treg të liberalizuar të energjisë elektrike.