Reshjet e shiut me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, në ujëmbledhësin e kaskadës së lumit Drin kanë rritur nivelet e liqeneve në Hidrocentralet e Koman dhe Vau i Dejës si dhe HEC Fierzë .
Nisur nga kjo situatë Administratori i KESH z. Benet Beci ka thirrur ditën e sotme në një takim Sekretariatin Teknik të Komisionit te Posaçëm të Trajtimit të Plotave, për trajtimin e prurjeve natyrore në kaskadë, në përputhje me Rregulloren e shkarkimit të Plotave. Sekretariati Teknik dhe Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave u njoh me situatën aktuale e dhe pritet që në ditët në vijim të marrin një vendim.
Aktualisht prurjet natyrore në kaskadë janë 3600 m3/s, ndërkohë që shkarkimet nga porta e Hec Vau i Dejës janë 700 m3/s dhe në HEC Koman 400 m3/s.
Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë aktualisht:
Fierza 286.09 mmnd, Koman 173.30 mmnd, Vau i Dejës 75.54 mmnd
Ndërkohë , KESH do të vijojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të menaxhuar situatën duke garantuar sigurinë e plotë të digave dhe shmangien e ndikimit negativ të shkarkimeve në zonën e nën-Shkodrës.