Aseti gjenerues termik është vendosur në zonën e Triportit, Vlorë, pranë TEC Vlora, me një kapacitet të instaluar prej 110 MW, që përdor si lëndë djegëse për gjenerimin e energjisë Heavy Fuel Oil sipas standardit ISO 8217:2017 (RME).
Përmbajtja e squfurit e lejuar: max. 0.5%.
Për përballimin e situatës dhe mitikimin e pasojave të krizës energjitike, Qeveria Shqiptare, me Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 620, datë 22 tetor 2021, për “Miratimin e kushteve të Detyrimit të Furnizimit Publik (DFP) për të licensuarit e Sektorit Energjitik Shqiptar, gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të furnizimit me energji, për të parandaluar dhe përballuar pasojat e krizës globale të energjisë,” e ngarkoi KESH sh.a. me detyrimin që të sigurojë energjinë e nevojshme për të mbuluar kërkesat e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU).
Për përmbushjen e këtij detyrimi, KESH duhet të përdorë së pari energjinë e prodhuar nga asetet e veta gjeneruese, duke e kombinuar me marrëveshje shkëmbimi apo depozitimi. Në rast se kërkesa e FSHU nuk mund të plotësohet, KESH do të duhet të blejë pjesën tjetër në tregun e parregulluar.
Përmbushja e DFP-së në kushtet e krizës globale energjitike, të shoqëruar me ngritjen e menjëhershme të çmimeve të energjisë në tregjet rajonale, si dhe varësia e prodhimit të energjisë nga kushtet hidro-meteorologjike, e vendos KESH në një trysni të jashtëzakonshme financiare dhe operacionale.
Për të përmbushur këtë detyrim dhe për të menaxhuar më mirë situatën, KESH duhet të:
- Sigurojë të gjithë sasinë e energjisë së nevojshme për përmbushjen e Detyrimit të Furnizimit Publik, duke synuar mbajtjen e kostove të gjenerimit më të ulëta se çmimet e tregjeve të energjisë.
- Optimizoje prodhimin e energjisë përmes kombinimit të burimeve hidrike dhe termike, duke përmbushur DFP gjatë gjithë vitit, edhe në periudhën e thatë, kur çmimet e energjisë rriten.
- Realizojë të ardhura shtesë nga aktivitetet tregtare në tregun e parregulluar, duke shfrytëzuar mundësitë që ofrojnë çmimet e larta të tregjeve kur ato paraqiten.
- Sigurojë një kapacitet rezervë gjenerues për të garantuar sigurinë e furnizimit të Sistemit Energjetik Shqiptar.
Vendosja e burimeve gjeneruese më afër ngarkesës do të përmirësojë menjëherë profilet e tensionit dhe do të reduktojë humbjet. Për më tepër, i gjithë sistemi rajonal i energjisë do të jetë më i organizuar për të plotësuar ngarkesën e ardhshme përmes një kombinimi të përshtatshëm të objekteve hidro/termike të gjenerimit dhe importit të energjisë elektrike.
Përfitimet dalluese përfshijnë:
- Avantazhe ekonomike, sidomos në rastin e shkëmbimit të energjisë elektrike.
• Përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, përmes bashkimit të rezervave të rregullimit primar.
• Rritjen e përgjithshme të performancës së sistemit të energjisë përmes shkëmbimit të informacionit dhe praktikave më të mira.
Instalimi i këtij impianti me gjenerim termik kontribuon në një furnizim më të sigurt me energji elektrike, i cili është i nevojshëm për të plotësuar kërkesën në rritje të konsumatorëve dhe për të përmirësuar cilësinë dhe besueshmërinë e energjisë.
Aseti gjenerues termik ka për detyrë:
- Të mbajë në gatishmëri (disponueshmëri) maksimale të impiantit për të gjeneruar energji.
- Të përpiqet të arrijë efikasitetin më të lartë të mundshëm dhe kapacitetin më të lartë të prodhimit të energjisë nga impianti, si dhe të kryejë investime në përmirësime teknologjike.
- Të mbajë nën kontroll kufijtë e emetimit, si gazrat dhe shkarkimet e lëngshme.
- Të shqyrtojë të gjitha mundësitë në tregun e energjisë për të shfrytëzuar intervalet e leverdisshme.
Të dhëna teknike:
Dy anijet termocentral përbëhen nga një total prej 17+2 setesh gjenerimi prej 6 MW secila që janë prodhuar nga Wartsila model 18V32LN.
Në Tiger 1 kemi 9 sete gjenerimi, në Tiger 3 kemi 10 sete gjenerimi, në kushte normale punojnë 17 sete gjenerimi dhe 2 mbahen rezerva.
Performanca e impiantit konsiston në kapacitetin e prodhimit të energjisë prej 110,000 kW ose 137,500 kWa me faktor fuqie 0.8.
