Rritja globale e kërkesës për energji, shfrytëzimi intensiv i burimeve fosile dhe sfidat e ndotjes së mjedisit kanë nxitur zhvillimin e kapaciteteve të energjisë bazuar në burime të rinovueshme. Në Shqipëri, ku prodhimi i energjisë mbështetet kryesisht në burimet hidrike, lind nevoja për diversifikim, dhe energjia diellore paraqet një mundësi të favorshme për shkak të kushteve klimaterike optimale.
Në këtë kontekst, KESH po zhvillon një impiant fotovoltaik me kapacitet 8.25 MWp mbi sipërfaqen e digës së Zadejës të HEC Vau i Dejës. Projekti realizohet në përputhje me objektivat e Qeverisë së Shqipërisë dhe Strategjinë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për diversifikimin e burimeve të energjisë, sigurimin e një sektori energjetik të besueshëm dhe të qëndrueshëm, dhe zvogëlimin e varësisë nga importet e energjisë.
Projekti është unik në Shqipëri dhe rajon, pasi ndërtohet mbi një digë hidrike, duke kërkuar struktura mbajtëse dhe punime të posaçme ndërtimore për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë. Vetëm punimet e betonit për bazamentin e impiantit arrijnë 16,000 m³. Projekti përfshin gjithashtu riparimin e rrugëve të aksesit, rrethimin dhe mbrojtjen e digës, instalimin e një sistemi menaxhimi SCADA, linja kabllore 2 km TM dhe mirëmbajtje 2-vjeçare.
Në krahasim me impiante të tjera fotovoltaike në Shqipëri, si PV Belsh dhe PV Qyrsaq, PV Zadeja ka një kosto që reflekton kompleksitetit teknik dhe masat shtesë të ndërtimit mbi digë. Ky impiant maksimizon përdorimin e infrastrukturës ekzistuese, minimizon ndikimin mbi tokën dhe mjedisin dhe përfaqëson një arritje inxhinierike dhe teknologjike për vendin.
Aktualisht, projekti ndodhet në fazën ndërtimore. Ky investim kontributon drejtpërdrejt në zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së pastër në Shqipëri dhe përputhet me standarde të larta sigurie, transparence dhe profesionalizmi.