Regjistri i Transparencës 2026

NR. Data e kërkesës Objekti i kërkesës Data e përgjigjes Përgjigje Statusi i kërkesës Tarifa
01
20.01.2026
Shpresoj që jeni mirë. Jam Sanie Jusufi, gazetare në KTV. Po na duhet një përgjigje nga ana juaj lidhur me çështjen e energjisë elektrike. A është ende në funksion marrëveshja mes KESH dhe KEK për shkëmbim të energjisë elektrike? Sa janë kapacitetet prodhuese të energjisë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve? A ka pasur kërkesë nga Kosova për furnizim me energji? Nëse po, kur kanë qenë këto kërkesa dhe sa dhe si i jeni përgjigjur këtyre kërkesave? Shpresoj në përgjigje nga ana juaj.
21.01.2026
Në lidhje me kërkesën tuaj nëse është ende në funksion marrëveshja mes KESH sh.a. dhe KEK sh.a. për shkëmbimin e energjisë elektrike, ju sqarojmë se po, marrëveshja e shkëmbimit ndërmjet dy shoqërive publike është në fuqi dhe zbatohet sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë dokument. Sa i përket pyetjes suaj mbi kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike në Shqipëri gjatë këtyre ditëve, ju bëjmë me dije se fillimi i vitit 2026 u karakterizua nga kushte meteorologjike me reshje shiu, çka solli rritje të niveleve në liqenet e Kaskadës së Drinit dhe, rrjedhimisht, edhe të kapaciteteve prodhuese në të tre HEC-et e kaskadës. Aktualisht, KESH sh.a. ka detyrimin e shërbimit publik për furnizimin e të gjithë kërkesës për energji elektrike të konsumatorëve universalë, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Lidhur me pyetjen tuaj nëse ka pasur kërkesë nga Kosova për furnizim me energji elektrike, sqarojmë se ka pasur kërkesë, dhe shoqëria KESH sh.a. i është përgjigjur kërkesës për furnizim me energji elektrike sipas mundësive teknike. KEK sh.a. ka dërguar kërkesë për energji elektrike sipas përcaktimeve të marrëveshjes, dhe KESH sh.a. i është përgjigjur kësaj kërkese bazuar në mundësitë teknike për gjenerim
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
02
21.01.2026
Përshëndetje, Faleminderit për përgjigjen paraprake. Nëse mund të na sqaroni në këtë pikë. Ju thoni se ka pasur kërkesa nga KEK-u dhe i jeni përgjigjur kërkesave për furnizim me energji sipas mundësive teknike. A ka pasur kërkesa nga KEK-u për furnizim me energji gjatë datës 19 dhe 20 janar 2026 dhe si i jeni përgjigjur kësaj kërkese? (Ju lutëm të na ofroni të dhëna për sasinë që ia keni ofruar KEK-ut për këto ditë) Sa kanë qenë mundësitë teknike të KESH për ta furnizuar edhe Kosovën? Shpresoj në përgjigje nga ana juaj.
04.02.2026
Pranë KESH. sha.a nuk ka pasur kërkesë për datat 19 dhe 20 janar.Ne mbetemi të gatshëm për çdo bashkëpunim brenda kompetencave tona.
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
03
16.02.2026
1. Cili është vendimi zyrtar i qeverisë lidhur projektin e hidrocentralit të Skavicës? A do të vijohet apo jo me këtë projekt? 2. A është mbyllur studimi i fizibilitetit dhe analizat e tjera për kostot e këtij projekti? 3- Sa përllogaritet kostoja e realizimit të projektit? 4. A vijojnë negociatat me Bechtel për këtë projekt? 5. Cilat janë kostot e deritanishme të paguara deri më tani për këtë projekt dhe për kontratat me Bechtel? 6. A ka ndonjë afat se kur mund të fillojë puna për këtë projekt?
19.02.2026
Në lidhje me projektin hidroenergjetik i Skavicës, më poshtë gjeni një informacion mbi statusin aktual të ecurisë së projektit: • Janë përfunduar investigimet dhe studimet në terren, përfshirë raportet teknike dhe projekti paraprak nga konsulenti Bechtel. Sipas parashikimeve ligjore është kryer oponenca teknike për raportet teknike dhe projekti paraprak nga UPT. • Është dorëzuar raporti teknik i VNMS-së, i cili është përgatitur nga Bechtel dhe Golder, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet e IFC-së. Raporti teknik i VNMS do të marrë formën përfundimtare pas rishikimit nga KESH sha dhe një palë e tretë e pavarur. • Këshilltari Financiar ka kryer vlerësimet e nevojshme lidhur me bankabilitetin e KESH, fizibilitetin financiar të projekti, si dhe hulumtimin e tregut për institucionet financiare përsa i përket alternativave të financimit të projektit dhe do te finalizoje raportin perfundimtar. Vendimarrja në lidhje me vijimin e projektit, do të merret nga Këshilli i Ministrave, pasi raportet e mësipërme të marrin formën përfundimtare sipas kerkesave kontraktuale dhe ligjeve ne fuqi.
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
04
17.02.2026
Në lidhje me basenet ujore nën menaxhimin e KESH: ● Si merren vendimet për shkarkimet ujore në rast nevoje? A ka një politikë/rregullore specifike e cila ndiqet në këto raste? Nëse po, kërkoj të më vihet në dispozicion. ● A ka analiza për ndikimin poshtë digave të ardhura si pasojë e shkarkimeve në fjalë? Nëse po, kërkoj të më vihen në dispozicion. ● Sa herë janë njoftuar bashkitë para shkarkimeve të ujrave nga ana e digave nën administrimin e KESH?
02.03.2026
1-Shkarkimet e ujrave të tepër (plotave) që tejkalojnë kapacitet fizike të regjimit të operimit në liqenet e kaskadës së lumit Drin, kryhen bazuar në Rregulloren e Shkarkimit të Plotave në kaskadën e lumit Drin për HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau Dejës. (Plotë quhet çdo sasi uji e tepërt që tejkalon kapacitetet e volumeve të lejuara në këtë rregullore). Kjo rregullore përcakton kohën dhe sasinë e shkarkimit, duke minimizuar rrezikun e përmbytjeve. 2-Referuar rregullores përkatëse, shkarkimet janë gjithëmonë të kontrolluara si një produkt i një analize konkrete shkarkimi të rast pas rasti dhe në në dinamikë me situatën sinoptikale. Pra shkarkimet janë të kontrolluara dhe graduale, gjë e cila mundësohet duke rezervuar ujin në liqenet e kaskadës dhe duke reduktuar intesitetin e plotës me qëllim eleminimin apo reduktimin e përmbytjes në zonën e nën Shkodrës. Nisur nga fakti se përmbytja është një problem dhumë i ndjeshëm për publikun, duhet theksuar se narrativat e përdorura në këto raste në zonën e nën Shkodrës, janë përherë të gabuara, ku ngjarjet keqinterpretohen me dhe pa dashje sikur përmbytja shkaktohet nga operimi i kaskadës së lumit Drin.. Duke u njohur me Rregulloren e Shkarkimit të Plotave në kaskadën e lumit Drin për HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau Dejës, është lehtësisht e kuptueshme se ndërtimi i kaskadës së lumit Drin dhe menaxhimi i plotave bazuar në rregulloren përkatëse, minimizon efektet e përmbytjes që do të mund të shkaktonte lumi Drin nëse nuk do të ishin ndërtuar digat e kaskadës së këtij lumi. Janë pikërisht këto tre rezervuarë të ndërtuar (Fierza, Komani dhe V. Dejës), që reduktojnë intesitetin dhe sasinë e prurjes ujore, duke e akumuluar në rezervuarë dhe duke e shkarkuar gradualisht. Është pikërisht ky veprim që mundëson eleminimin e përmbytjeve, ose reduktimin e tyre. Gjithashtu duhet të përmendim se në zonën e nën Shkodrës, shkarkojnë gjithashtu edhe disa lumej të tjerë, të cilët sjellin sasira të konsiderueshme uji që janë edhe më të mëdha se sasia e ujit që operon kaskada e Drinit. Pra kur flasim për përmbytje, duhet të kuptojmë se uji që shkarkohet në zonën e nën Shkodrës, nuk vjen vetëm nga Drini por vjen edhe nga drejtime të tjera. Fjala është për lumejtë Buna, Kir dhe Gjadër kryesisht. Lumi Buna fryhet nga sasitë e ujit që vijnë në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës. Liqeni i Shkodrës fryhet (rritet) mbi dy -tre metra nga ujrat e lumejve dhe përrejve që derdhen në të (Lumi Moraça, lumi Cem, etj), ujra të cilat duhet ti përpunojë shtrati i lumit Buna. Në shtratin e lumit Buna derdhet edhe lumi Kir dhe lumi Drin. Pra NUK ËSHTË vetëm lumi Drin, por janë i gjithë ky “kolazh” lumejsh që sjellin ujë dhe që e ekspozojnë zonën e nën Shkodrës nga përmbytjet. Ndryshe nga ekspozimi i nën Shkodrës për përmbytje nga lumejtë e tjerë, diferencë bën vetëm lumi Drin, në të cilin pas ndërtimit të digave, ËSHTË REDUKTUAR sasia e ujrave që përfundon në zonën e nën Shkodrës. Pra pas ndërtimit të tre rezervuarëve (Fierza, Komani, Vau Dejës), sasirat e ujit që sjellë lumi Drin, rezervohen në këto rezervuarë, duke reduktuar sasinë totale që do të mund të përfundonte në zonën e nën Shkodrës. Pra praktikisht KESH sh.a., NUK SHKARKON ASNJËHERË SASI UJI MË TË MËDHA NGA SASIA E UJIT QË SJELLË LUMI DRIN. Prandaj shkarkimet tona quhen shkarkime të kontrolluara sepse digat mundësojnë reduktimin e intesitetit që sjellë Drini, duke e rezervuar sasinë e ujit në rezervuarët që administron KESH sh.a. dhe/apo duke e rezervuar intesitetin e shkarkimit në kohë (Kjo nënkupton shkarkim gradual dhe të kontrolluar, gjë që minimizon përmbytjen). Kjo dukuri shpjegohet edhe në Rregulloren e Shkarkimit të Plotave në kaskadën e lumit Drin për HEC-et Fierzë, Koman dhe Vau Dejës. Të mos harrojmë së në zonën e nën Shkodrës kanë qenë disa këneta tashmë të bonifikuara, të cilat ishin formuar dhe ekzistonin falë ujrave që shkarkoheshin nga këto lumenj. 3-Referuar kuadrit ligjorë përkatës, KESH sh.a. ka hartuar Planin e Gatishmërisë në Rastet e Emergjencave, i cili është miratuar pranë KKDM. Ky plan është konsultuar me Pushtetin Vendor dhe me Agjencitë përkatëse të Pushtetit Qendrorë. Në të përshkruhen skenarë të ndryshëm të mundshëm për të ndodhur dhe gjithashtu përshkruhet edhe komunikimi me Pushtetin Vendor dhe Pushtetin Qendror. Pra gjithëmonë kur parashikohet mundësia e një situate hidrike që mund të shkaktojë përmbytje, komunikohet me Bashkitë. Referuar Planit të Gatishmërisë në Rastet e Emergjencave, KESH sh.a ka instaluar edhe sisteme alarmi që mund të lajmërojnë popullatën në raste kritike apo katastrofike.
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
05
17.02.2026
1-Kush mban përgjegjësi penale për marrëveshjen e shkëmbimit të energjisë me kompaninë "NOA Energy", e cila shkaktoi një humbje prej 2.7 milionë eurosh për KESH, duke dhënë energji kur çmimi ishte i lartë dhe duke mos e marrë mbrapsht kur çmimi ra? 2-Si justifikohet shpenzimi prej 156 milionë lekësh për riparimin e automjeteve, pa asnjë dokument mbështetës për pjesët e ndërruara, duke ngritur dyshime të forta për fiktivitet? 3-Pse janë shpenzuar mbi 130 milionë lekë për shtesa ushqimore dhe shpërblime për stafin, pa respektuar limitet e ndërmarra dhe në një kohë kur kompania është në krizë financiare? 4-Pse në procedurat e prokurimit janë vendosur kritere që kufizojnë konkurrencën, duke bërë që në to të marrin pjesë vetëm një numër shumë i vogël kompanish (3–6), duke rritur kostot për buxhetin e shtetit? 5-Pse vazhdon praktika e shkarkimeve të padrejta nga puna, e cila ka kushtuar kompanisë miliona lekë në dëmshpërblime gjyqësore, dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi personale për këto kosto? 6-Si shpjegohet që KESH shet energji me çmime të ulëta në bursë në profile të caktuara, ndërkohë që blen shtrenjtë, duke treguar paaftësi totale në menaxhimin e portofolit energjetik? 7-Pse nuk ekziston asnjë sistem kontrolli për shpenzimet e karburantit të automjeteve, duke lënë hapësirë për abuzime masive me kartat e karburantit?
05.03.2026
1-Bazuar në Raportin Përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sjellim në vëmendjen tuaj se, grupi i audituesve të KLSH nuk bën asnjë citim apo referim në lidhje me përgjegjësi penale, duke vlerësuar gjetjet të karakterit administrative, për të cilat kanë propozuar zgjidhjet përkatëse përmes rekomandimeve. Sqarojmë se, gjetja pasqyruar në raportin e grupit të auditimit të Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë zgjidhja e problematikës së sasisë prej 17,515 MWh të mbartur dhe të pakthyer nga shoqëria NOA Energy SHPK për llogari të shoqërisë KESH SHA, pasi kjo sasi e konvertuar në vlerë financiare përfaqëson shumën prej rreth 2.7 milion euro. Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar që kjo sasi energjie të kthehej pranë shoqërisë KESH SHA.Ky rekomandim i KLSH ka gjetur zbatim, përmes kthimit nga shoqëria NOA Energy SHPK të sasisë së energjisë elektrike referuar nga raporti i KLSH. Si rrjedhojë e veprimeve, ju informojmë se, aktualisht bilanci energjetik e rrjedhimisht efekti financiar ndërmjet shoqërisë KESH SHA dhe NOA Energy SHPK rezulton zero. 2-Shuma prej 156 milionë lekësh nuk i referohet posaçërisht vetëm riparimit të automjeteve, por përfshin shërbime të mirëmbajtjes dhe riparimit për një gamë të gjerë mjetesh dhe pajisjesh si: mjete transporti, mjete të rënda dhe pajisje të specializuara (si vinça, skafe, minibusë, gjeneratorë etj.), të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e aktivitetit. Shërbimet e kryera kanë qenë të nevojshme për garantimin e funksionalitetit, sigurisë dhe vijimësisë së punës, si dhe për parandalimin e dëmtimeve më të mëdha që mund të sillnin kosto shtesë apo ndërprerje të aktivitetit. Ndërhyrjet janë realizuar mbi bazën e kërkesave konkrete teknike dhe nevojave operacionale të konstatuara gjatë përdorimit të mjeteve. Të gjitha procedurat për realizimin e këtyre shërbimeve janë zhvilluar në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi. Çdo shërbim është verifikuar nga strukturat përgjegjëse, është konfirmuar realizimi i tij sipas specifikimeve teknike dhe është ndjekur procedura e brendshme e kontrollit administrativ dhe financiar, në përputhje me standardet e menaxhimit financiar dhe kontrollit. Shoqëria ka ndërmarrë gjithashtu masa për përmirësimin e mëtejshëm të praktikave administrative, në funksion të rritjes së transparencës dhe forcimit të kontrollit të brendshëm. Në lidhje me këto shpenzime, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kryer verifikim në terren, gjatë të cilit është konstatuar përputhshmëria e shërbimeve të realizuara me kërkesat përkatëse procedurale dhe standardet e zbatueshme. 3-Shoqëria KESH SHA, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Kontratën Kolektive të Punës, e cila parashikonte trajtimin ushqimor të punonjësve të shoqërisë, ka përmbushur detyrimet kontraktore, për të cilat KLSH ka lënë rekomandimet përkatëse sikurse ju i referoheni. Në zbatim të rekomandimeve të lëna nga KLSH, me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës Nr.7, datë 12.07.2024, është miratuar Rregullorja e Përgjithshme e Punës në KESH SHA, duke marrë masa për reflektimin e rekomandimeve të kërkuara, duke hequr përfitimi i dietës ushqimore për punonjësit e KESH SHA, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.68, datë 7.02.2018 “Për kufijtë dhe kriteret e përcaktimit të shpërblimit që i përgjigjet pagës së përfituar në natyrë dhe që i shtohet pagës për pushimet vjetore”. Ky rekomandim është vlerësuar i zbatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Lidhur me dhënien e shpërblimeve për disa punonjës të KESH SHA, sjellim në vëmendjen tuaj se, referuar e në zbatim të Kontratës Kolektive të Punës nr.2399, datë 23.05.2019 me palë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare KESH SHA, dhënia e shpërblimit për disa punonjës është detyrim kontraktor për tu përmbushur. Shpërblimi të cilit ju i referoheni, është marrë nga një grup punonjësish të KESH SHA, për gatishmërinë që kanë treguar gjatë periudhës dhjetor 2020- shkurt 2021, duke qenë të ngarkuar të përballojnë një situatë të vështirë për vazhdimësinë e punës dhe aktivitetit prodhues të shoqërisë KESH sha gjatë periudhës së pandemisë COVID. Sqarojmë se, shpërblimet e dhëna për disa punonjës të KESH SHA kanë marrë miratimet nga organet drejtuese të shoqërisë sipas parashikuara nga ligji nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, pasi është miratuar me Vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH SHA, miratuar me Vendimin të Aksionarit të Shoqërisë KESH SHA si dhe akorduar nëpërmjet Urdhrit të Administratorit të Shoqërisë. Sjellim në vëmendjen tuaj se, prej vitit 2022 punonjësit e KESH SHA nuk kanë përfituar shpërblim vjetor. Në lidhje me pretendimin tuaj për mos marrjen e miratimit nga Ministria e Linjës, ju sqarojmë se, çdo vit miratohet Programi Ekonomiko- Financiar (i rishikuar sipas nevojës gjatë vitit korrent), në të cilin përfshihen të gjitha shpenzimet e pritshme të shoqërisë. Ky program, në përputhje me Ligjin Nr.9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” i ndryshuar, si dhe me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin, shqyrtohet dhe miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe nga Ministria e Linjës në cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit të Vetëm.4-Autoriteti Kontraktor ka hartuar kriteret teknike në përputhje të plotë me parimet dhe dispozitat e parashikuara në Ligjin "Për prokurimin publik" dhe aktet nënligjore në zbatim të tij konkretisht me nenet që rregullojnë: 1. Përcaktimin e kritereve të kualifikimit; 2. Specifikimet teknike; 3. Parimin e proporcionalitetit; 4. Parimin e mos diskriminimit dhe konkurrencës së lirë. Kriteret e përcaktuara për procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor, janë të lidhura drejtpërdrejtë me objektin e kontratës, janë proporcionale me natyrën, kompleksitetin dhe vlerën e fondit limit, nuk krijojnë kufizime apo barriera të pajustifikuara për konkurrencën, garantojnë realizimin cilësor dhe të sigurt të kontratës, janë rezultat i analizës së proporcionalitetit dhe riskut, synojnë mbrojtjen e interesit publik dhe fondeve të buxhetit të shtetit si dhe garantojnë pjesëmarrje reale dhe konkurrencë efektive brenda parametrave të tregut përkatës. Pjesëmarrja e 3 – 6 operatorëve ekonomikë në një procedurë: Nuk konsiderohet automatikisht kufizim i konkurrencës, në tregje të specializuara apo kontrata me kompleksitet teknik, është një nivel normal dhe funksional konkurrence, siguron konkurrencë reale për çmim dhe cilësi. Duhet theksuar se ligji nuk përcakton një numër minimal pjesëmarrësish si tregues të vlefshmërisë së konkurrencës. Elementi thelbësor është mundësia e hapur dhe jo diskriminuese për pjesëmarrje, jo numri absolut i ofertuesve. Pretendimi se 3 – 6 operatorë ekonomike automatikisht rrisin kostot nuk mbështetet teknikisht pa analizë krahasimore. Kostoja për buxhetin vlerësohet përmes: Krahasimit me fondin limit, Analizës së tregut, Uljes së arritur gjatë garës, Raportit çmim–cilësi. Në shumë raste, konkurrenca efektive realizohet edhe me një numër të kufizuar operatorësh, për sa kohë: procedura është e hapur, kriteret janë transparente dhe nuk ka barriera artificiale. Gjithashtu, referuar Raportit Përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimet për Auditimin, Grupi i Auditimit i ka konsideruar të zbatuara këto rekomandime.5-Në shoqërinë KESH SHA, nuk gjejnë zbatim praktika të largimeve të padrejta nga puna, përkundrazi është një fakt i pakundërshtueshëm numri i papërfillshëm i konflikteve të reja të regjistruara në gjykatë në lidhje me kërkesat për dëmshpërblim nga zgjidhja e marrëdhënieve të punës. Zgjidhjet e marrëdhënieve të punës në shoqërinë KESH SHA, përbëjnë raste përjashtimore, të cilat diktohen nga shkelje të parashikimeve kontraktore nga ana e punëmarrësit ose rrjedhojë e ndryshimeve strukturore të shoqërisë. Megjithatë, shoqëria KESH SHA në çdo rast, zbaton me korrektësi procedurat ligjore, të përcaktuara në kodin dhe kontratat e punës, duke njoftuar punëmarrësin në lidhje me arsyet të cilat kanë vendosur punëdhënësin, në kushte për të menduar përfundimin e marrëdhënies së punës. Në këto raste, punëdhënësi realizon takim me punëmarrësit, duke parashtruar arsyet e veta dhe duke dëgjuar argumentet e punëmarrësit dhe vlerësuar mundësitë për të shmangur një situatë të tillë. Vetëm në ato raste kur çdo vazhdim i marrëdhënies së punës është i pamundur, punëdhënësi vendos zgjidhjen e saj, duke lëvruar edhe paketën përkatëse financiare që përfiton punëmarrësi nga kjo zgjidhje, në respektim të parashikimeve ligjore. Përsa i përket referimit tuaj, bazuar në informacionin e KLSH, sipas të cilit praktika e shkarkimeve të padrejta nga puna i ka kushtuar kompanisë miliona lekë dëmshpërblime gjyqësore, sjellim në vëmendje se : Në përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimeve, audituesit e KLSH nuk i referohen vendimeve gjyqësore përfundimtare, përkundrazi, vlerat referuese kanë ardhur nga vendimi të cilat shoqëria KESH SHA, në përputhje me legjislacionin në fuqi ka ushtruar të drejtën e ankimit dhe ndodhet në pritje të qëndrimit të gjykatave më të larta, të cilat kanë tagrin për zgjidhjen përfundimtare të një konflikti midis palëve.6-Bazuar në Raportin Përfundimtar të Kontrollit të Larte të Shtetit, nga Grupi i audituesve është konstatuar se: “Operacionet tregtare të shitje/blerjes të realizuara nga KESH për vitin 2021, për optimizim në pamje të parë perceptohet që janë realizuar me sukses, pasi çmimi i shitjes është më i lartë se ai i blerjes.” Sa sipër, rezulton se shoqëria KESH SHA, ka realizuar transaksione të shitjes së energjisë elektrike me çmime më të larta krahasuar me çmimet e blerjes së energjisë elektrike, në përputhje me parimin e eficiencës ekonomike në ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit të energjisë elektrike. Raporti i Kontrolli i Lartë i Shtetit, për këtë çështje ka konstatuar se sasia e energjisë elektrike e blerë është më e lartë se ajo e shitur, pasi KESH SHA e ka destinuar sasinë e blerë me shumë për furnizimin e konsumatorëve universalë, në kuadër të përmbushjes së detyrimit për shërbim publik të vendosur në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 456/2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” dhe në “Rregulloren e Tregtimit të Energjisë Elektrike nga KESH SHA.” Referuar Raportit Përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimet për Auditimin, Grupi i Auditimit i ka konsideruar të zbatuara këto rekomandime. 7-Shoqëria KESH SHA në cilësinë e subjektit që i nënshtrohet kuadrit ligjor për menaxhimin e aktiveve publike, ushtron veprimtarinë e saj në përputhje dhe zbatim të plotë me legjislacionin në fuqi për administrimin e tyre. Konkretisht, në referim dhe në zbatim të Udhëzimit e Ministrit të Financave Nr.30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik” përcaktohet qartë detyrimi për regjistrimin, evidentimin dhe monitorimin e aktiveve publike, përfshirë automjetet dhe shpenzimet e lidhura me to, duke kërkuar dokumentim dhe gjurmueshmëri të plotë të përdorimit të tyre. Në zbatim të këtij kuadri rregullator, që prej vitit 2018 shoqëria ka implementuar dhe ka në funksion një sistem elektronik të dedikuar për menaxhimin dhe monitorimin e furnizimit me karburant. Ky sistem siguron: regjistrimin e çdo mjeti, përcaktimin e limiteve mujore të konsumit, evidentimin në kohë reale të furnizimeve, monitorimin e konsumit sipas mjetit, si dhe gjenerimin e raporteve. Nëpërmjet këtij mekanizmi, KESH SHA garanton gjurmueshmëri të çdo transaksioni si dhe kontroll të vazhdueshëm mbi përdorimin e karburantit. Përpos kësaj, shoqëria ka miratuar një manual të brendshëm për menaxhimin efikas të karburantit, në të cilën janë përcaktuar dhe detajuar përgjegjësitë e strukturave përkatëse, procedurat e autorizimit, monitorimit dhe raportimit. Referuar Raportit Përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimet për Auditimin, Grupi i Auditimit të rekomandimeve të lëna i ka konsideruar të zbatuara këto rekomandime. “Komenti i grupit to auditimit: Për sa trajtuar me sipër rekomandimi konsiderohet i pranuar nga subjekti dhe është zbatuar.”
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
06
05.03.2026
1-Statistikat e prodhimit të energjisë për periudhën 1-4,5 mars. (Shoqëruar konsumin, faktik ose mesatar) 2-Statistikat e energjisë së eksportuar ose importuar gjatë së njëjtës periudhë 3- një koment për situatën e Shqipërisë në këto momente dhe nevojën ose jo për të kryer blerje
09.03.2026
1-Kerkesa mesatare per periudhen e mesiperme eshte rreth 13,000 MWh/dite, per plotesimin e kerkeses se shoqerise FSHU sh.a. ne kuader te permbushjes se detyrimit te sherbimit public.2-Per periudhen e mesiperme KESH sh.a. po eksporton 3,600 MWh/dite, ne kushtet e perpunimit te prurjeve me qellim mbatjen e kuotave te liqeneve ne nivelet e lejuara per kete periudhe te vitit. Per periudhen e mesiperme KESH sh.a. nuk ka kryer import te energjise elektrike. 3-Situata hidroenergjetike për 3-mujorin e parë të vitit 2026 paraqitet e stabilizuar, me tregues energjetik mbi mesataren shumëvjeçare. Bazuar në të dhënat aktuale hidrologjike dhe në ecurinë e prurjeve, vlerësohet se periudha e pranverës do të mbyllet me tregues energjetik në përputhje me vlerat e parashikuara në Rregulloren e Plotave për administrimin e rezervave ujore në kaskadën e Drinit.
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
07
20.02.2026
1. Cila është gjendja aktuale e ndotjes në Liqenin e Fierzës dhe sa ndikon prurja e mbetjeve nga Drini i Bardhë? 2. A disponon KESH të dhëna të përditësuara mbi sasinë e mbetjeve që depozitohen çdo vit në liqen? 3. Cilat janë llojet më të shpeshta të mbetjeve që grumbullohen (plastikë, inerte, mbetje urbane, etj.)? 4. Si realizohet konkretisht procesi i pastrimit të liqenit? (manualisht, me mjete lundruese, kontraktim kompanish private, etj.) 5. A ka KESH një plan të përhershëm monitorimi dhe pastrimi, apo ndërhyrjet bëhen vetëm në raste emergjente? 6. Çfarë ndodh me mbetjet pasi nxirren nga liqeni? Ku depozitohen dhe kush mban përgjegjësi për trajtimin e tyre? 7. Sa fonde janë shpenzuar gjatë 5 viteve të fundit për pastrimin e Liqenit të Fierzës? Ju lutem, specifikoni fondet e shpenzuara për secilin vit. 8. A janë këto fonde të planifikuara në buxhet vjetor apo alokohen në mënyrë të jashtëzakonshme? 9. A ka kërkuar KESH mbështetje financiare nga qeveria shqiptare apo donatorë ndërkombëtarë për menaxhimin e situatës? 10. A ekziston një mekanizëm bashkëpunimi me institucionet e Kosovës për të parandaluar ndotjen që vjen nga Drini i Bardhë? 11. A ka KESH vlerësime mbi kostot afatgjata nëse situata e ndotjes vazhdon? 12. Cili është plani afatgjatë i KESH për menaxhimin e mbetjeve në liqen?
11.03.2026
1-Mbetjet në liqen janë kryesisht pasojë e prurjeve të lumenjve (përfshirë Drinin e Bardhë) dhe ndotjes në pellgun ujëmbledhës. KESH ndërhyn vetëm kur ndotja prek zonën pranë digës/HEC Fierza dhe sigurine ne operimin e HEC 2. Jo. KESH nuk disponon inventar vjetor të plotë për të gjithë liqenin; evidenca mbahen vetëm për ndërhyrjet operative të kryera pranë digës/HEC. Gjithashtu dhe gjate kushteve te klimes kryesisht gjate stines se veres 3. Kryesisht mbetje plastike/ambalazhe, mbetje urbane të përziera dhe materiale drusore/organike të sjella nga prurjet. 4. KESH realizon pastrimin e liqeni pranë digës/HEC Fierza sa herë konstatohet e nevojshme. Pastrimi i liqeni behet me ndërhyrje në terren sipas procedurave dhe kapaciteteve të KESH gjithashtu dhe me kerkese dhe ne bashkepunim me njesise vendore dhe instuticioneve perkatese. 5. KESH monitoron në funksion të operimit të digës/HEC dhe ndërhyn sipas nevojës pranë digës. Menaxhimi i mbetjeve në nivel liqeni/pellgu ujëmbledhës nuk është kompetencë e KESH. 6. Mbetjet e nxjerra gjatë ndërhyrjeve pranë digës dorëzohen për trajtim/depozitim sipas procedurave ligjore, në koordinim me njësitë e qeverisjes vendore dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve. 7. Shpenzimet per pastrim, kur ka, lidhen vetem me ndërhyrje operative pranë digës/HEC Fierza dhe janë të parashikuara në shpenzimet operative. 8. Kur lind nevoja, mbulohen nga zërat operativë të miratuar dhe/ose sipas procedurave të brendshme për raste të veçanta. 9. Jo. KESH nuk ka kërkuar mbështetje financiare specifike. Në rast nevoje, KESH kontribuon dhe bashkëpunon me institucionet përkatëse për ndërhyrje/pastrim në zonën e digës/HEC Fierza. 10. KESH nuk është pjesë e ndonjë marreveshjeje bashkëpunimi. KESH, sipas rastit, kontribuon vetëm në koordinim teknik brenda rolit të tij operativ.Bazuar ne citimet me siper evidentohen mbetje ne liqen ku kontribojne Drini i Bardhe / i Zi dhe perrenjt pergjate liqenit. 11. KESH nuk disponon vlerësime të konsoliduara afatgjata për këtë çështje. Kostot e mundshme lidhen vetëm me ndërhyrjet operative kur vlerësohet e nevojshme pranë digës/HEC Fierza. 12. KESH fokusohet në administrimin, sigurinë dhe operimin e digës/HEC Fierza. Menaxhimi i mbetjeve në nivel liqeni kërkon qasje të integruar nga institucionet përgjegjëse dhe pushteti vendor; KESH bashkëpunon kur problematika prek zonën pranë digës/HEC.
Kthyer përgjigje me email
Pa tarifë
real estate saranda

Kontakte

+355 42 230 888
info@kesh.al

Adresa

Rr. Viktor Eftimiu, Nr. 12, Tiranë

Kërkesë për regjistrimin

Roport mbi monitorimin e treguesve mjedisorë në HEC Vau i Dejës, HEC Koman dhe HEC Fierzë.

Me qëllim përmbushjen e pikës 3.1 “Monitorimi i mjedisit ” të ESAP (Plan Veprimi për Çeshtjet Social Mjedisore) në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet KESH sh.a dhe BERZH “Marrëveshje huaje” ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Shqipëria: Plani i ristrukturimit të KESH-it u realizua monitorimi i treguesve mjedisorë në njësitë prodhuese të KESH sh.a nga kontraktori Qendra e Monitorimit te Mjedisit bazuar ne kontraten 3630/10 date24/10/2022 per Monitorimin e Treguesve Mjedisor ne Tre Njesite e Prodhimit te KESH

Default PDF Icon

Raporti Fierza

Shiko PDF
Default PDF Icon

Raporti Koman

Shiko PDF
Default PDF Icon

Raporti VD

Shiko PDF

Kalendari Mjedisor 2025

Periudha kohore Përshkrimi i Aktiviteteve
Tremujori I
26 Janar
Dita Botërore e Energjisë së Pastër -Kjo ditë celebrohet për të rritur ndërgjegjësimin dhe mobilizimin global për tranzicionin drejt energjisë së pastër.
25 -27 Shkurt
Ditët Botërore të Energjisë së Qëndrueshme- Këto ditë promovojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e përdorimit të burimeve të pashterueshme të energjisë dhe inkurajojnë praktikat e qëndrueshme në prodhimin dhe konsumimin e energjisë.
05 Mars
Dita Botërore e Efiçencës së Energjisë- Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për përfitimet e prodhimit të energjisë së gjelbër dhe përdorimin efikas të energjisë për të reduktuar ndikimin mjedisor.
22 Mars
Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Ujit - Ndërgjegjësimi për rëndësinë e ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, të cilat janë thelbësore për prodhimin e energjisë dhe ekosistemet.
Tremujori II
22 Prill
Dita e Tokës - Një ditë për të promovuar mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke përfshirë energjinë
15 Qershor
Dita Botërore e Erës – Promovon përdorimin e energjisë së erës si burim i qëndrueshëm.
Tremujori III
4 Korrik
Dita Kundër Përdorimit të Qeseve Plastike - Fushata për të reduktuar përdorimin e plastikës dhe për të promovuar alternativa më të qëndrueshme, duke ndikuar pozitivisht në mjedis dhe në sektorin e energjisë.
21 Shtator
Dita e Emetimeve Zero - Inkurajimi i veprimeve për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe për të promovuar teknologji të pastra në prodhimin dhe konsumimin e energjisë.
Tremujori IV
6 Tetor
Dita Botërore e Habitateve - Ndërgjegjësimi për rëndësinë e ruajtjes së habitateve natyrore dhe ndikimin e zhvillimit energjetik në to.
11 Tetor
Dita Botërore e Hidrocentralit - Një ditë për të njohur rolin e hidrocentraleve në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore.
24 Nëntor
Dita Ndërkombëtare e Mbjelljes së Pemëve - Promovimi i mbjelljes së pemëve për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të kontribuar në balancimin e emetimeve të karbonit.

PLANET E GATISHMËRISË NË RASTET E EMERGJENCAVE

Bazuar në ligjin Nr. 8681,datë 02.11.2000 “Për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave”, ligjit Nr.8756, datë 26.03.2001 “Për Emegjencat Civile“, VKM Nr.147 datë 18.03.2004, KESH sh.a, si dhe “Rregullores për Sigurinë e Digave”, neni 28, e miratuar me VKM Nr.147, datë 18.03.2004, KESH sh.a ka hartuar Planet e Gatishmërisë në rastet e Emergjencave.

 

Këto plane janë hartuar në bashkëpunim me ekspertizën vendase dhe të huaj (GNF, Spanjë) dhe në përputhje me rekomandimet e ICOLD dhe standartet ndërkombëtare.

 

Planet e Gatishmërisë në Raste Emergjencash përfshijnë:

 

I. Raportet Teknike sëbashku me anekset përkatëse të tyre.
II. Skemat Organizative për proceset e veprimeve emergjente në 4 skenarë të mundshëm.
III. Hartat e Përmbytjeve që mund të shkaktohen në zonën e pellgut ujëmbledhës Drin-Bunë gjatë operimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin (Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës) apo dëmtimeve të digave të tyre.

 

Gjithashtu, me ndihmën teknike të GIZ janë përgatitur edhe hartat e zonave të përmbytjeve për rastet e shkarkimit të plotave me përsëritje një herë në 100 vjet dhe një herë në 1,000 vjet, harta këto që në përputhje me përcaktimet e Rregullores për Sigurinë e Digave dhe Dambave, janë përgatitur në shkallë 1:25,000

 

Planet e Gatishmërisë në Raste Emergjencash shtjellojnë dhe përcaktojnë për çdo skenar të mundshëm të rasteve të emergjencave që mund të ndodhin (për shkak të operimit dhe menaxhimit të HEC-eve të kaskadës së lumit Drin në kushtet e prurjeve të mëdha, tërmeteve, apo prishjes së mundshme të ndonjë dige), detyrat dhe skemat organizative për lajmërimin në kohën e duhur nga Institucionet e përfshira në proçesin e përballimit dhe menaxhimit të emergjencave civile.

Kodi i Etikës

Kodi etik i KESH sh.a. është pjesë integrale e rregullores së përgjithshme të punës në KESH sh.a. dhe përfaqëson një përmbledhje tërësore të vlerave dhe parimeve, të cilat duhet të udhëheqin punën e përditshme të personelit të KESH. Ky kod kërkon nga punonjësit që punojnë pranë shoqërisë KESH sh.a që të zbatojnë standartet më të larta të sjelljes etike, në përputhje me vlerat e integritetit, të paanshmërisë dhe të maturisë.

 

Punonjësit e shoqërisë KESH sh.a inkurajohen të punojnë me pasion dhe me profesionalizëm për të arritur rezultate sa më të larta e të qendrueshme. Ata duhet të veprojnë me integritet gjatë gjithë veprimtarisë së tyre zyrtare dhe të shmangin çfarëdolloj sjelljeje që mund të paraqesë ndryshe punonjësit ose KESH-in.

 

KESH, me karakterin e vet demokratik, profesional dhe vlerës që i jep diversitetit, KESH orienton stafin e vet që të veprojë me tolerancë, me ndjeshmëri, me respekt dhe me paanësi kundrejt kulturës dhe profesionit të personave të tjerë, që nuk i kanë ato të njëjta me të tjerët. Për stafin e KESH, integriteti duhet kuptuar si sinonim i ndershmërisë, korrektesës, drejtësisë e besnikërisë kundrejt punës dhe institucionit.

 

Nga ana tjetër, KESH reagon ndaj çdo sjelljeje abuzive, e cila do të konsiderohet fyese për ambientin apo për persona konkretë. Punonjësit e KESH duhet të përmbushin detyrat e tyre me kompetencë dhe paanshmëri, duke zbatuar standarte të larta profesionale në kryerjen e punës së tyre dhe duke mbajtur përgjegjësi për materialet e përgatitura.

Siguria dhe shëndeti

Përgjegjësitë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për sigurinë dhe shëndetin në punë janë në përputhje me rregulloret dhe normat shtetërore të sanksionuara në Rregulloren e Sigurimit dhe Shfrytëzimit Teknik për Impiantet, Pajisjet dhe Instalimet elektrike. Në zbatim të kësaj rregulloreje, KESH ka bërë parashikmet e veta në strukturën e vet organizative, duke integruar funksionet përkatëse në nivel Qendror dhe Njësi Prodhimi.

Qëllimi i sistemit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë është rritja e sigurisë së punonjësve në ambientet e punës dhe mbrojtja e shëndetit e mirëqenies së tyre dhe personave të tjerë (publikut) që mund të ekspozohen ndaj risqeve të aktivitetit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Rreziqet kryesore ndaj të cilave ekspozohen punonjësit e KESH-it që punojnë direkt në impiantet e prodhimit të energjisë elektrike përfshijnë kryesisht goditjet nga rryma elektrike, goditjet nga eksplodimi i pajisjeve nën presion, rëniet nga lartësia, efektet e lëndëve kimike, biologjike dhe kancerogjene, zhurmat, dridhjet mekanike, fushat elektrostatike, rrezatimet jonizuese dhe optike, etj.

Rregullorja e Sigurimit Teknik dhe Mbrojtjes së Shëndetit në Punë sanksionon:

  • Vlerësimin e riskut dhe marrjen e masave të nevojshme (mjete dhe staf kompetent) për trajnimin e punonjësve për sigurinë dhe mbrojtjen në punë, përfshirë dhënien e ndihmës së parë të kualifikuar dhe transportin për në qendrën më të afërt spitalore.
    ● Sigurimim e veglave të punës, pajimeve dhe veshjeve mbrojtëse për punonjësit (çertifikuar sipas normave IP të sigurisë) dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme në ambjentet e punës (ventilimin, ngrohjen, ndriçimin e mjaftueshëm, mobilimin, etj)
    ● Përgatitjen dhe instalimin e sinjalistikës për t’i treguar punonjësve çfarë duhet të dinë për ruajtjen e shëndetit dhe sigurinë në punë;
    ● Sigurimin e punonjësve për rastet e aksidenteve në punë përfshirë aksidentet rrugore kur punonjësi udhëton për në vendin e punës si dhe për të prekurit nga sëmundje profesionale.
    ● Regjistrimin dhe raportimin e aksidenteve në punë dhe të prekurit nga sëmundje profesionale si dhe të rasteve të rrezikshme që mund të ndodhin.
    ● Vlerësimin e riskut të dëmtimit të punonjësve nga substancat e rrezikshme dhe vendosjen e tabelave paralajmëruese dhe zbatimin e rregulloreve përkatëse të rekomandauara nga furnizuesi i tyre.

Ndërkohë që njohja dhe zbatimi i rregullave të sigurimit teknik dhe ruajtjes së shëndetit në punë është detyrë e përhershme e përsonelit të KESH sh.a., menaxhimi i Sistemit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë përfshin në vetvete përmirësimin e vazhdueshëm dhe shërbim gjithnjë e më të kualifikuar ndaj të punësuarve në nivelin e kërkesave të kohës.

Formulari Ankesave

Apliko për Punë

ksamil village albania