Portat segmente janë përdorur gjatë fazës së ndërtimit të hidrocentralit dhe kanë shërbyer për të izoluar tubacionin e agregatit Nr.4 në kullën e ekuilibrit. Ky veprim ka qenë i nevojshëm për të mundësuar vendosjen në shfrytëzim të agregatit Nr.3 (Mars1987) punimet e të cilit përfunduan më herët se agregati Nr.4(Dhjetor1988). Pas përfundimit të punimeve për instalimin e agregatit Nr.4, portat segmente u hoqën nga udhëzuesit e tyre dhe u depozituan në strukturën B/A e cila ndan tubacionet e çelikut të agregatit Nr.3 dhe Nr.4 në brendësi të kullës së ekuilibrit.

Nga inspektimet e fundit rezultonte që 2 nga 4 segmentet kishin pësuar zhvendosje për shkak të fenomenit të grushtit hidraulik duke rritur mundësinë e rënies së tyre në hyrjen e tubacioneve të çelikut të agregatit Nr.3 dhe Nr.4 gjatë operimit të hidrocentralit.

Për të shmangur këtë ngjarje e cila mund të shkaktonte dëmtime serioze të agregateve u realizua zhvendosja e portave segmente nga kulla e ekuilibrit duke garantuar sigurinë e operimit të agregateve të HEC Koman.